Lajme
Vajzat e ekipit të Barletit fitojnë kupën e Tiranës

Bashkia e Tiranës me rastin e 400-vjetorit të themelimit të qytetit të Tiranës, organizoi "Kupa e Tiranës" në volejboll për meshkuj e femra. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin skuadrat: Barleti Volley, Tirana, Partizani dhe Dinamo. Finalja u luajt ditën e diele, datë 23 Mars 2014, në pallatin e sportit "Farie Hoti", në Tiranë. Fitues të këtij turneu u shpallën "Barleti Volley" për femra, dhe "Studenti" për meshkuj. Ndeshja derbi midis Barleti Volley-Tirana pati konkurrencë dhe vajzat e Tiranës dëshironin me çdo kusht fitoren. Ato realizuan një mbrojtje dhe lojë të organizuar mirë.

Ndërsa ekipi Barletas ishte më i qetë, duke treguar neglizhence, por decisiv në fund. Në ndeshjet finale ishte i pranishëm kryetari i bashkisë së Tiranës, Z. Lulëzim Basha, i cili i përgëzoi volejbollistët për paraqitjen që treguan. Ndeshjet ishin jashtëzakonisht të bukura dhe na dhuruan shumë emocione. Nga përvoja ime si ish-volejbollist mund të them se të paktën në fushën e volejbollit, evolucioni po e bënë punën e vet, duke shprehur se ky brez është në standarde të larta, më i talentuar, e më evropianë, pa harruar kontributin e të gjithë emrave legjendare të volejbollit në Shqipëri.

Një falënderim të madh për organizatorët dhe sponsorët, që krahas organizmit të këtij eventi nderuan edhe figurat e shquara të volejbollit shqiptar. Kupën ekipit "Barleti Volley" i’a dorëzoi presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit Z. Adrian Doçi. Kryetari i bashkisë Z. Lulzim Basha i dorëzoi kupën e vendit të dytë ekipit të djemve të Tiranës, dhe Studentit kupën e Tiranës. Në këtë ceremoni u shpërndanë dhe pllakate mirënjohje për figura të shquara të volejbollit të Sport Klub "Tirana", si: Farie Hoti, Fatmir Meka, Pëllumb Pelivani, Qemal Gjinali, Asllan Toptani, Bilal Fuga, Ismail Maloku,Vera Vërria.