Lajme
Barleti Volley triumfon për të tretën herë - fiton edhe kupën e Shqipërisë

Universiteti Marin Barleti ka fituar ditën e shtunë, 1 shkurt kupën e Shqipërisë 2014, pas fitores 3-0 kundër ekipit të Tiranës. Një sukses i merituar i ekipit të Barletit, i cili ka realizuar një ndeshje spektakolare dhe me shumë emocione. Kjo finale është ndjekur nga një numër shikuesish, me shumë rivalitet, dhe vërtet bardheblutë kanë pasur dëshirën e madhe për të fituar. Në këtë finale priteshin surpriza, për arsye se dy ekipet kundërshtare, Tirana e Partizani, në këtë fazë të dytë janë fuqizuar, duke marrë si përforcime lojtare të huaja. Gjithashtu, ekipi universitar luante me mungesë të një lojtareje formacioni, e cila për arsye shëndetësore nuk mund të luante. Kjo gjë nuk influencoi aspak tek vajzat, përkundrazi ato bënë një paraqitje dinjitoze, duke treguar karakter, grintë, e shumë potencial. Gjithsesi, këto ekipe kanë bërë një paraqitje për t’u admiruar, që do kërkojnë dhe luftojnë për titullin Kampion.

Ndeshja ka përcjellë shumë adrenaline, sidomos në setin e fundit që është mbyllur me shifrat 30-28 për vajzat Barletase. Ky set ka sjellë pakënaqësi tek skuadra bardheblu, por nuk kanë qenë të këtij mendimi gjyqtarët, pavarësisht konsultimit me njëri-tjetrin. Kontestimet kanë sjellë edhe tensione, aq sa Shehu ka nxjerrë kartonin e verdhë dhe më pas të kuq, që konvertohet në pikë për Barleti Volley. Tirana ka qenë në avantazh deri në një moment të caktuar dhe më pas e kanë përmbysur vajzat tona, sepse Bici ka qenë në super formë, ashtu sikurse Nezaj e Tuci. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes ka qenë Bici me 17 pikë, e ndjekur nga kapitenia Braho. Në bllok ka dalë fituese Nezaj e Barleti Volley, dhe Lasku e ekipit të Tiranës.

Duhet theksuar që vajzat universitare kanë bërë një paraqitje admiruese, në ndryshim nga ndeshja gjysmë finale me Teutën. Më pas sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Leonard Tase, presidenti i rrjetës, Adrian Doçi dhe presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, kanë dorëzuar trofetë për Tiranën në vendin e dytë dhe UMB Volley fitues të Kupës së Shqipërisë. Një tjetër trofe shumë i rëndësishëm, që rrit akoma më shumë vlerat e Universitetit Marin Barleti.

Trajneri Hasan Gurabardhi u shpreh shumë i entuziazmuar për këtë trofe, i cili me Barleti Volley-n ka marrë një kupë të Federatës Shqiptare të Volejbollit, një Kupë të Flamurit, dhe i është gëzuar shumë edhe Kupës së Shqipërisë. Në përgjithësi puna e ekipit ka qenë e mirë derimëtani, ndonëse ka ende vend për përmirësim. Sa i takon titullit, rruga është e gjatë dhe me sfida. Të tre ekipet, Tirana, Partizani, dhe Teuta, me këtë paraqitje që realizuan në Kupën e Shqipërisë, janë skuadra të forta, pretendente për të fituar.