Rreth nesh
SI DHE KUR U KRIJUA BARLETI VOLEJ

Skuadra u themelua në vitin 2003, me emrin Aulona, lindur nga dëshira e pronarit të saj, Z. Gafurr Dudaj, i cili vendosi të bashkëpunonte me Mjeshtrin e Madh të Sportit, Z. Kreshnik Tartari. Në vitin 2005 ekipi u përfshi në strukturën e Universitetit Marin Barleti, gjithashtu në pronësi të grupit Dudaj. Në këtë moment, skuadra merr një emër të ri, atë të UMB Volley. Që në zanafillë të vet, ekipi është trajnuar nga i mirënjohuri, Z. Kreshnik Tartari dhe ndihmësi i tij, Z. Petrit Shpata. Të dy trajnerët i janë dedikuar me përkushtim ekipit, duke vënë në dispozicion të tij kohën, bagazhin e tyre profesional dhe pa diskutim edhe pasionin për volejbollin. Pikë kyçe ne suksesin e këtij ekipi ka qenë mbështetja e përhershme e donatorëve të tij, e atyre që i dhanë jetë dhe që e shoqërojnë në çdo sfidë.

STRUKTURA E EKIPIT NË VITE DHE ARRITJET

Në sezonin sportiv '03-'04 ekipi u përfaqësua nën siglën Aulona Volej dhe në këtë periudhë luante në serinë A2 . Në debutimin e Aulona Volej në Kampionatin Shqiptar, kontribuuan dhe disa nga emrat më të mëdhenj të volejbollit për femra ndër vite, si Alketa Doçi, e cila në atë kohë vinte nga një përvojë e gjatë në Francë, Kreuza Lako nga Sh.B.A. apo bullgarja Dida Kostandinova, pjesëmarrja e së cilës u mundësua nga mbështetja financiare e Z. Gafurr Dudaj. Në fund të kampionatit, Aulona Volej arriti të hynte në serinë A1 të Kampionatit Shqiptar të Volejbollit.

Në sezonin '04-'05 Aulona Volej garon me ekipet elitare të volejbollit shqiptar. Mosha mesatare shumë e re e ekipit, si dhe përvoja e pakët bëjnë që në këtë sezon nga 6 ekipe pjesëmarrëse, vajzat e Aulona Volej të renditen në vendin e 5-të, duke lënë pas vetëm ekipin e Minatorit. Gjatë sezonit '05-'06 ekipi përfaqësohet me një sigël të re, atë të UMB Volley dhe merr pjesë jo vetëm në Kampionatin Kombëtar, por edhe në Kupën e Shqipërisë. Në këtë sezon ekipi rrit si cilësinë e ndeshjeve të zhvilluara, ashtu dhe pretendimet, duke u kualifikuar në vendin e 4-t në përfundim të Kampionatit Kombëtar dhe në pozicionin e finalistit të Kupës së Shqipërisë.

Tre-vjeçari i fundit ka qenë shumë i suksesshëm për ekipin e UMB-së. Ai arrin të hyjë ndër 3 ekipet elitare të volejbollit shqiptar. Në sezonin '06-'07 skuadra e UMB-së është finaliste e Kupës së Shqipërisë dhe renditet e 4-ta në Kampionatin Kombëtar e në Kupën e Federatës. Më pas, në sezonin '07-'08 UMB Volley përfshin në përbërjen e tij disa nga lojtaret më me eksperiencë të volejbollit në vite, si Denisa çarçani apo Junida Shollo. Ekipi bën një paraqitje shumë të mirë gjatë kampionatit dhe arrin kulmin në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, duke eliminuar në ndeshjen gjysmëfinale ekipin e Teutës, pretendentja kryesore për atë trofe dhe duke luftuar deri në fund edhe për trofeun e Kampionatit.

Sezonet vijuese shënojnë dhe sukseset më të mëdha të arritura nga ekipi universitar. Në sezonin '08-’09, ekipi ndryshon përbërjen e tij, duke bërë pjesë të vetën disa nga lojtaret më të mira të kampionatit shqiptar dhe jo vetëm që arrin të fitojë për të parën herë në historinë e krijimit të tij trofeun e Kupës së Shqipërisë, por shndërrohet edhe në pretendentin kryesor për vendin e parë të Kampionatit Kombëtar, ku zë vendin e 2-të. Formatimet në radhët e UMB Volley vazhdojnë, ekipi shton në radhët e veta amerikanen shumë cilësore, Kelly Goc dhe përfiton nga shërbimi i Amanda Svejltik gjatë ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, duke u dhuruar vajzave të UMB Volley trofeun e Kupës së Shqipërisë për të dytin vit radhazi, pa harruar që ato zënë sërish edhe vendin e nënkampioneve në Kampionatin Kombëtar.

Ky ekip, i cili sot mban emrin Barleti Volley, që zanafillën e tij në rrugën drejt suksesit, ka gëzuar gjithmonë mbështetjen e plotë të pronarëve të tij, si të Z. Gafurr Dudaj në fillim, ashtu edhe të Universitetit Marin Barleti në vijim, i cili është po ashtu nën pronësinë e familjes Dudaj.

STUDENT-LOJTARE TË EKIPIT UNIVERSITAR SIPAS PËRVOJËS AMERIKANE

Barleti Volley funksionon ndryshe nga ekipet e tjera të Kampionatit Shqiptar, duke sjellë një risi që bazohet në modelin anglo-sakson. Kjo risi u integrua si formulë e re në strukturën organizative të Universitetit Marin Barleti, që prej sezonit sportiv '07-'08. Ekipi ka në përbërjen e vet studente të këtij institucioni arsimor dhe mbi bazën e kësaj formule, ky universitet shpërndan bursa studimi për sportistet e Barleti Volley. Në këtë mënyrë, studentet-lojtare zhvishen nga çdo detyrim financiar kundrejt Universitetit Marin Barleti.

NDERIM PER PRESIDENTIN DUDAJ

Nje nderim i vecante nga drejtuesit e rrjetes shqiptare ka ardhur per Presidentin e Universitetit "Marin Barleti" , z.Gafurr Dudaj, qe ka 17 vjet qe kontribuon ne klubet e volejbollit shqiptar. E ka nisur te Teuta, me te cilet ne kohen e te ndjerit Njazi Dervishi jane fituar Kupa te Shqiperise, por edhe kampionate. E nisi me skuadren Aulona me pas, te cilen e themeloi dhe e drejtoi per disa vite z.Kreshnik Tartari. E qe andej ze fill dhe ekipi I sotem UMB Volej, me te cilen, me ne krye z.Tartari ka marre dy kupa te Shqiperise. Tashme pret qe te kurorezohet kampion me trajnerin Hasan Gurabardhi. Dhe per 17 vitet e tij, duke qene i vetmi president i cili nuk i eshte shkeputur nje dite volejbollit, Federata Shqiptare e Volejbollit e ka nderuar me nje dedikim special.